The Moon is a Woman

Një pjesë e mirë e jetës sonë, vihet në funksion të punës por a është edhe në funksion të planeve për veten?!

“Vajzat e mira nuk marrin zyrën në qoshe”
⭐️⭐️⭐️⭐️⭐️
pas

Druhem se rrallëherë marrim kohë për të menduar nëse po ndihem mirë apo nëse kjo është ajo që dua të bëj. 

Çfarë energjie më rrethon në vendin e punës dhe si të reagoj ndaj kësaj energjie. Nuk mendoj se një libër guidë “How To” e zgjidh gjithçka por mund t’ju them me bindje se mua më ra në duar një libër i duhur në kohën e duhur.

E kam lexuar para se të filloja punën time të parë afër profesionit (që zgjati një muaj 😅) dhe e kam rilexuar pas tre vitesh e përsëri sivjet për të tretën herë .

“Vajzat e mira nuk marrin zyrën në qoshe” nga Lois P.Frankel flet për 101 gabimet e pandërgjegjshme që sabotojnë karrierën e vajzave dhe grave. Zyra në qoshe është përkthyer nga “Corner Office”, zyrë që ofron pamjen më të mirë dhe që i jepet dikujt me pozicion drejtues në një kompani. Do të doja të ndaja shumë pjesë të librit por kam shkëputur disa pjesëza që t’i merrni me vete nesër në punë;

Përpjekja për të arritur përsosmëri

Nëse ju e dini që keni vetëm një orë për të përfunduar një raport, atëherë bëjeni për një orë. Nëse ju e lini orarin fleksibël, mënyrat me të cilat kërkoni përsosmërinë, nuk do të sjellin asgjë më shumë, përveçse shtim të orëve të punës, më tepër se sa është e nevojshme.

Të ofrosh një shtrëngim duarsh

Këtu po jap këshillën e babait të një kolegu që ja dha të birit, kur ai ishte ende djalë i ri: – Mbajeni dorën shtrirë derisa të lidhet me dorën e tjetrit. Mos ndaloni vetëm duke kapur gishtërinjtë. (dhe meqë ra fjala, sa baballarë mësojnë vajzat e tyre si të shtrëngojnë duart?!)

Të vendosësh punën përpara jetës personale

Zhvilloni pasionet dhe interesat. Nëse nuk keni të tilla, gjeni një arsye për të lënë punën.

Përdorimi i pseudonimit apo vetëm i emrit tuaj

Përdorni gjithmonë emrin dhe mbiemrin në sekretarinë e mesazheve tuaja zanore, në postën elektronike, kur prezantoni veten apo kur përgjigjeni në telefon. Nëse të tjerët ju shkurtojnë emrin, korrigjojini thjesht duke përsëritur emrin që preferoni të përdorin, kur ju drejtohen juve.

Modestia

Fshini njëherë e përgjithmonë, nga fjalori juaj, shprehje: “Oh, nuk ishte asgjë”. Mbani një proces-verbal të vogël për arritjet për të cilat jeni krenare, falenderimet, performancën e paguar dhe hidhini një sy kur të nisni të dyshoni për veten.

Veshja në mënyrë të papërshtatme

Shikojeni blerjen e rrobave si një investim për të ardhmen. Planifikoni buxhet të mjaftueshëm për të blerë disa veshje në vit, një pjesë e të cilave duhet të jetë vërtetë shumë cilësore. Kur të ndjeheni mirë brenda asaj që keni veshur, do të veproni me më shumë besim.

Përvetësimi i mesazheve të marra

Vendosni në një vend të dukshëm që e shihni shpesh, thënien e famshme të Eleanor Roosvelt-it: 

“Askush nuk mund t’ju bëjë të ndiheni inferiore pa pëlqimin tuaj.”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për tituj të tjerë